Ditët e para të muajit janar kanë sjellë dhe shumë fluks të lartë pacientësh në spitalin rajonal të Lezhës.
Sipas bluzave të bardha në urgjencë paraqiten mbi 100 persona gjatë 24 orëve kryesisht me viroza stinore ku më të prekurit janë moshat e treta.
Mjekja e Urgjencës Elsuida Prendi tregon se pjesa më e madhe e rasteve janë përballuar më së miri nga spitali i Lezhës por nuk kishin munguar as pacientët të cilët ishin dërguar në Tiranë për një trajtim më të specializuar.
Prendi këshillon që nuk duhet të neglizhohet asnjë simptomë duke u paraqitur fillimisht tek mjeku i familjes, po ashtu këshillon pacientet të mbajnë maska apo të shmangin ambientet e populluara.
“Jap këshillën time që të mos rrinë në ambiente shumë të populluara, të mbajnë maskë, të ushqehen mirë, të pushojnë, të paraqiten tek mjeku i familjes, sigurisht të kërkojnë ndihmë mjekësore”, shprehet mjekja Elsuida Prendi.