Policia e Shtetit deklaron se Zamir Kalemi u tentua të vritet për hakmarrje për ngjarjet e ndodhura një dhe dy vite më parë në Shqipëri dhe Greqi. Konkretisht vrasjet e Aleksandër Sadikajt dhe biznesmenit Edmond Papa, por edhe dy tentativat për të hequr qafe vëllanë e shënjestrës në Greqi.
Policia konfirmon që makina e atentatit ishte e vjedhur. Po ashtu edhe targat. 15 mijë janë vendosur në dispozicion për cilindo që jep informacion mbi autorët. Zamir Kalemi nga prita me plumba ka marrë disa plagë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Policia ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon kqyerjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes.
Aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin. Nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.
Nga analiza e rrethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi” njofton policia Tiranë.
16 plumba, policia hap dosjen: Ja pse donin ta vrisnin 35-vjeçarin në Tiranë