Në një intervistë të zakonshme për mediat italiane në këtë rast për “Sportpress24.com” presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka analizuar suksesin e Kombëtares shqiptare drejt Gjermani 2024.
“Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Çekisë, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Europian në Gjermani. Është një kompleks sportiv shumë i mirë në Kaiserau, shumë afër Dortmundit dhe Dyseldorfit, ku ne do të luajmë dy nga tre ndeshjet e grupit tonë”, tha Duka.
– Në grupin tuaj, keni kundërshtarë të fortë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Çfarë prisni të arrini ndaj këtyre rivalëve?
Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit. Kroacia është gjysmë-finaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta. Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja për Kombëtaren shqiptare në këtë turne madhor ndërkombëtar?
Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e tetë viteve. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën”, tha mes të tjerash Duka.