-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Alket Veliu: Drejtësi për Çamërinë!

Kryesoret

Viti 2024 është një vit i rëndësishëm për memorien historike të shqiptarëve të Çamërisë. 80 vjet më parë është shënuar një ngjarje tejet tragjike, e cila ka lënë plagë të thella në historinë e kombit tonë. Në qershor të vitit 1944 e në vazhdim në Çamëri u krye një genocid i pashembullt, vrasje dhe krime monstruoze ndaj popullsisë së pafajshme civile, akte që u pasuan me spastrim etnik dhe me shpërnguljen me dhunë drejt Shqipërisë të pjesës më të madhe të popullsisë.
Përfundimi i genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Epirin e Jugut-Çamëri ishte tragjik. Çamëria pothuajse u spastrua nga etniteti shqiptar që i përkiste besimit jo orthodoks. Në fshatrat ku banonin shqiptarët u vendosën refugjatë grekë të ardhur nga Azia e Vogël dhe grekë të ardhur nga pjesët e tjera të Greqisë. Shumë fshatrave ju ndërruan emrat, u ndërruan toponimet e shumë vendeve për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare në Epirin e Jugut.

Nga të dhënat e botuara kohëve të fundit del se sipas qyteteve janë masakruar në genocidin grek ndaj popullsisë çame 2.877 shqiptarë. Në Filat dhe rrethinë numri i të masakruarve është 1.286, Gumenica me rrethinë, 292, Paramithia me rrethinë, 673, në Margëlliç dhe Pargë, 626.

Në varrezat monumentale të Kllogjerit janë dëshmi okulare të asaj masakre që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë. Këta njerëz vdiqën të larguar në një eksod biblik, duke lenë pas rreth 20 % të popullsisë të zhdukur, të vrarë e të masakruar. Ata u nisën drejt atdheut mëmë, ndaluan në këtë vend dhe fatkeqësisht rreth 2900 prej tyre vdiqën të pamundur nga etja dhe uria.

Këto krime, ende dhe sot pas 80 vjetësh, kanë mbetuar pa u ndëshkuar, si rrallë herë me raste të ngjashme në botë. Madje krimet as nuk pranohen nga pasardhësit e ekzekutorëve, që shpesh kanë ndërruar karriget e pushtetit në Greqi, duke shkelur kështu çdo princip universal dhe normë ndërkombëtare, me një ekskluzivitet të tepruar nacionalist, gati shoven.

Është koha të kërkohet refektim nga pasardhësit e ekzekutorëve, nga shteti grek, në përputhje me frymën e kohëve moderne evropiane.
Në këtë 80 vjetor të genocidit grek ndaj Çamërisë i drejtohemi me një apel shtetit dhe qeverisë shqiptare, duke u kujtuar se është koha për të reflektuar mbi këtë kapitull të errët të historisë sonë kombëtare, për të bërë të gjitha përpjekjet për të vënë në vend këtë padrejtësi historike dhe për të mos lejuar rrënimin e trashëgimisë sonë kombëtare.
Shteti dhe qeveritë shqiptare, si gjatë diktaturës komuniste, ashtu edhe gjatë tranzicionit demokratik, kanë 80 vjet që heshtin për Çamërinë, në mënyrë krejt konfuze dhe enigmatike, pa asnjë brejtje të ndërgjegjes, pa bërë as përpjekjen më të vogël të kërkojnë Drejtësi për Çamërinë pranë shtetit grek dhe Forumeve të Larta Ndërkombëtare, në respekt të detyrimit kushtetues dhe në përputhje me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Po ashtu kërkohet reflektim nga çdo shqiptar, për të vendosur mbi gjithçka interesin kombëtar.
Ne shqiptarët e Çamërisë nuk kemi harruar rrënjët tona, identitetin tonë, rrjedhimisht dhe integritetin tonë kulturor historik, pavarësisht prej përpjekjeve për t’i fshirë e çrrënjosur ato.
Duke ngulmuar tek e vërteta dhe legjitimiteti ynë, ne nuk mund të harrojmë kurrë krimet që u kryen kundër popullit tonë, vetëm se ishim shqiptarë, me histori të lashtë dhe tradita të shquara, por edhe me kontribute të mëdha në krijimin e shtetit grek.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” do të punojë intensivisht që zërat e viktimave të dëgjohen, kujtimi i tyre të ruhet dhe të arkivohet, historitë e tyre të tregohen, për të sensibilizuar opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, për të vënë në vend dinjitetin dhe të drejtat natyrore dhe historike të popullsisë çame. Askush nuk mund të mbajë peng të drejtën tonë historike, njerëzore, universale, për rikthim në trojet tona, në shtëpitë tona, në vendbanimet e të parëve tanë, sado t’i bier daulles së nacionalizmit, apo të mbytet nga traumat e inferioritetit abstrakt!
Çështja çame duhet të jetë për të gjithë ne mision i shenjtë dhe motiv krenarie.
Të gjithë bashkë të përpiqemi t’i kthejmë Çamërisë krenarinë e qënies së vet të papërsëritshme!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit