Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela. Në fokus të takimit ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ishte vlerësimi i ecurisë së punës së deritanishme të strukturave të prokurorisë dhe policisë, koordinimin mes tyre dhe bashkërendimin e prioriteteve në goditjen e krimit.
Gjatë takimit ministri Balla theksoi se revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.
Mes të tjerash gjatë takimit ministri Balla theksoi rëndësinë e dy vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg në lidhje më çështjen e 21 Janarit si dhe çështjen Hysa ndaj Shqipërisë, lidhur me respektimin e standardeve në aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në fazën e hetimit dhe gjykimit.
Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Çela vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional me Policinë e Shtetit dhe angazhimi maksimal i prokurorive megjithë problemet që po has institucioni për shkak të mungesave në strukturë si rrjedhojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.
Në takim u ra dakord për të përpunuar një plan veprimi sa i përket edhe përballjes me fenomene të reja kriminale si rrjedhojë e përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale për kryerjen e krimeve të ndryshme, ku u vlerësua si shumë shqetësuese prekja masive prej tyre e personave të mitur.