Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim në shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” në Berat ku foli për sigurinë në shkolla.
Balla theksoi se paketa e sigurisë në shkolla, mbetet një objektiv shumë i rëndësishëm i punës së Policisë së Shtetit dhe që ka nevojë të konsolidohet më tej, duke përfshirë edhe problematikat e dala nga fenomeni i krimit online, që po shfaqet përmes formash nga më të ndryshmet.
“Paketën e sigurisë në shkolla duhet ta konsolidojmë sepse gjithmonë dalin gjëra të reja. Kur e filluam paketën, nuk e kishim menduar që një prej shqetësimeve janë krimet kibernetike, apo online, të cilat janë shqetësim edhe për familjet, mësuesit etj.” – tha ai në lidhje me këtë fenomen.
Më tej, duke folur në lidhje me gjendjen e rendit dhe sigurisë në qark dhe mbi parametrat dhe rezultatet e arritura Balla tha se Berati nuk është më qyteti i dhjetë viteve më parë.
“E vërteta është që Berati ka ndryshuar plotësisht, por ky ndryshim i madh e ka shndërruar Beratin edhe në një destinacion të rëndësishëm turistik. Berati ka qenë dhe mbetet një gur i çmuar i asaj që na ka ruajtur historia, por e vërteta është që ky guri i çmuar tashmë është pastruar edhe ka dalë në dritë. Dhe kjo rilindja do ta quaja unë, e Beratit, ka sjellë edhe rritjen e numrit të madh të turistëve, qofshin vendas, qofshin të huaj që e vizitojnë Beratin në çdo ditë të javës. Por e bukura dhe lajmi i mirë është që tashmë Berati ka edhe kapacitete akomoduese për një turizëm më të zgjatur,” tha miniistri i Brenshëm.