Blerja nga Kosova e sistemit të raketave ‘Javelin’, të prodhimit amerikan, u vlerësua si një nga zhvillimet e pakta pozitive për Ballkanin Perëndimor, në një debat që u mbajt në Uashington nga Instituti “New Line” mbi dhjetëvjeçarin e ardhshëm në rajon. Njohësi i çështjeve për Ballkanin dhe shkrimtari, Jasmin Mujanoviç tha se vendimi për të fuqizuar mbrojtjen e Kosovës ka ndikim pozitiv për të gjithë rajonin.
“Një Kosovë e fortë, e qëndrueshme, sovrane, që ka fuqinë të pengojë sulmet dhe që nuk bëhet nga KFOR-i, por që është pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës është shumë pozitive për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Mujanoviç.
Ai tha se një tjetër zhvillim pozitiv që ka nisur sidomos dy apo tre vitet e fundit është një rritje e kontakteve formale dhe jo formale mes zyrtarëve dhe diasporës të tre vendeve të Ballkanit, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.
Duke përmendur gabimet e të kaluarës, për shembull kur studentët shqiptarë të Kosovës në demonstratat e vitit 1981 “brutalizoheshin nga forcat jugosllave të sigurisë” dhe Bosnja, Kroacia dhe Sllovenia nuk reagonin, janë gabime që sipas zotit Mujanoviç, nuk duhen përsëritur.
“Siç e kemi mësuar edhe gjatë viteve ‘90 dhe siç është dashur ta mësojmë sërish edhe herë të tjera, ajo që fillon në Kosovë, përfundon në Bosnjë dhe ajo që fillon në Bosnjë, përfundon në Mal të Zi, pasi çështjet janë të ndërlidhura.
Kur Aleksandar Vulin apo Vuçiç flasin për Botën Serbe, nuk duhet pritur reagim vetëm nga miqtë tanë në Prishtinë, duhet të reagojmë të gjithë ne, pasi ajo është një kërcënim për të gjithë”, thotë zoti Mujanoviç./ VOA