Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.
Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.
Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.
“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.
O’Brien ka thënë se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare.
Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.
“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.