Arrestohet në Bruksel me qëllim ekstradimin në Shqipëri, Diego Haxhiraj 38-vjeç që akuzohet se në vitin 2022, në bashkëpunim me një person tjetër ka tentuar të vrasë me armë zjarri dy punonjës policie, jashtë shërbimit. Në momentin e ndalimit nga policia belge, ai është prezantuar me një identitet tjetër.
“Arrestohet Diego Haxhiraj (Teki Hanaj) 38 vjeç, banues në Vlorë. Në momentin e ndalimit nga Policia belge, ky shtetas është prezantuar me një identitet tjetër. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur atij, një armë të ftohtë (thikë).
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 01.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.
38-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy shtetasve, (punonjës policie të cilët në momentin e ngjarjes kanë qenë jashtë shërbimit)” njofton policia.