Ndeshja e tretë midis Partizanit dhe Egnatias këtë sezon përfundoi në shifrat 1-1, në “Arenën e Demave”.
Një rezultat i cili nuk i shkon aspak mirë kryeqytetasve dhe trajnerit Shehi, pasi nuk mundën të ngushtonin diferencën me 10 pik nga kryesuesit e Egnatias, por mund të kishte shkuar dhe më keq.
Egnatia e tregoi edhe njëherë se nuk është kot në krye dhe shënoi në minutën e 60-të me Sebastian Spahiun. “Predha” nga distanca s’u ndal dot nga Panajot Qirko në portë.
Më pas miqtë e Edlir Tetovës patën edhe disa raste të pastra për të shënuar golin e dytë, ndërsa “Demat” iu falën Xhuliano Skukës në minutën e 90-të për golin e barazimit. Dibrani mori një pasim nga Sota dhe nuk e pati të vështirë ta ndalte sferën pas shpinës së Sherrit.
Me tre ndeshje pa fitore, Orges Shehin e zënë “ethet” në pankinën e Partizanit. Me 47 pikë Egnatia qëndron në vendin e parë të renditjes, teksa Partizani me dhjetë pikë më pak e ndjek si i dyti.