Veprimtaria për eksplorimin e arkivave vendase dhe të huaja për dokumentimin e zhvillimeve historike shqiptare, ka filluar herët. Fjala vjen Lef Nosi botoi në vitin 1924 “Dokumenta Historike për t’i shërbyer historisë sonë kombëtare”. Kishte përmbledhur akte të Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, si dhe akte të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës etj.
Botimi i tij përfaqësonte një shërbim të rëndësishëm për shkrimin e historisë së vendit. Kjo nismë do të pasohej nga veprimtari të tjera të kësaj natyre, siç ishte fjala vjen grumbullimi i dokumentacionit të diplomacisë vjeneze për Shqipërinë dhe për ngjarjet e zhvilluara në trojet shqiptare në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ishte menduar që ai të shërbente për veprimtaritë që do të organizoheshin gjatë ceremonive të festimit të 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në 1937.
Në vjeljen e doumenteve arkivore, që do të vazhdonte edhe më vonë, sidomos pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, janë angazhuar edhe personalitete të shquara të shkencës shqiptare si prof. Aleks Buda dhe mjaft kolegë të tij. Për sjelljen e tyre në gjuhën shqipe u përfshinë një grup përkthyesish kompetentë, për çka meritojnë të vlerësohen dhe të kujtohen me respekt të veçantë.
Për një ide të përgjithshme mund të renditeshin disa prej tyre, veçanërisht ato, të cilat autori i këtij shkrimi, ka pasur rastin t’i ketë shfrytëzuar ose shfletuar gjatë veprimtarisë së vet kërkimore e shkencore.
Të tilla janë: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, që përmbajnë burime të autorëve antikë, grekë, romakë dhe bizantinë të hershëm, që kanë shkruar për ilirët dhe Ilirinë, botuar për herë të parë në vitin 1965; Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, në tre vëllime, Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës, në 4 vëllime, nga Irakli Koçollari, Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912, nga Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane, 1878-1881, nga Kristaq Prifti, Kongresi i Berlinit, 1878, Shqipëria në Konferencën e Paqës, 1919-1920, nga Muin Çami, Marenglen Verli, Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar, 1918-1920, nga një grup autorësh nën drejtimin e studiuesit Muin Çami, botim i Institutit të Historisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Qeveria e Vlorës dhe veprimtaria e saj, 28 nëntor 1912 – 22 janar 1914, Shën Naumi dhe diplomacia e kohës, nga Kaliopi Naska, një numër vëllimesh me dokumente arkivore austro-hungareze, të përgatitura nga Marenglen Verli, Beqir Meta, Ledia Dushku etj, dokumentacioni britanik i publikuar nga prof. Valentina Duka dhe një vëllim tjetër nga Muhamet Shatri, i cili ka publikuar edhe vëllimin e dytë të dokumenteve nga arkivat franceze, dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare shqiptare më 1912, nga Muhamet Shatri dhe Ramiz Abdyli, një tjetër vëllim dokumentesh nga Hamit Kaba dhe Ethem Çeku, botim i 2011, Pozita gjeografike, politike dhe popullsia shqiptare në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, nga Frashër Demaj dhe shumë e shumë të tjerë.
Botime të tjera të kësaj natyre, me shumë vlerë, janë bërë edhe në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, të cilat është e vështirë të përmenden në mënyrë ezauruese.
Nga dokumentacioni diplomatik arkivor francez, italian, britanik etj, që bën fjalë për zhvillimet politike shqiptare, prof. Arben Puto, ka përzgjedhur disa prej tyre, të cilët konsiderohen si më përfaqësuesit. E ka nisur nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për t’u fokusuar posaçërisht te pavarësia shqiptare. I ka përfshirë në tre vëllimet e përmbldhjes dokumentare “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit: përmbledhje dokumentesh me një vështrim historik.”
Nuk mund të lihet pa përmendur një dokumentacion voluminoz dhe mjaft i rëndësishëm, i vjelë në arkivat dhe bibliotekat e Venedikut dhe në institucione të tjera në Itali dhe Spanjë nga studiuesi dhe historiani i shquar Pëllumb Xhufi. Ai i ka shfrytëzuar në veprën e tij madhore, Arbërit e Jonit. Përmbledhja dhe publikimi më vete do të ishte një tjetër kontribut i çmuar.
Në vijim të përvojës pozitive, tashmë të konsoliduar, mund të flitet për ekzistencën e një “strategjie”, të hulumtimit dhe grumbullimit në Tiranë, të kontigjenteve të rëndësishme të dokumentacionit arkivor të huaj që ka të bëjë me Shqipërinë. Ajo është kushtëzuar doemos nga burimet njerëzore, mundësitë ekonomike dhe leja për shfrytëzim nga ana e autoriteteve drejtuese të arkivave të huaja.
Një mundësi e veçantë e shfrytëzimit të dokumentacionit arkivor të disa prej shteteve janë edhe botimet zyrtare të Arkivave shtetërore të tyre, si psh Documents Diplomatiques Français DDF, Documenti Diplomatici Italiani DDI, Documents of State Departement of Foreign Affaires etj, një pjesë e mirë e të cilave mund të shfrytëzohet edhe online.
Botimet dokumentare kontribuojnë për të sjellë risi për rishikimin e historisë dhe, kur është rasti, për t’ia afruar më shumë të vërtetës. Sepse aktet e reja mund të zgjerojnë diapazonin e vështrimit dhe të shërbejnë për vlerësimin më të saktë dhe më objektiv të qëndrimeve të shteteve të tjerë ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe në trojet shqiptare.
Mund të kontribuojnë për të plotësuar vakuume ose për të ndriçuar ngjarje që kanë ndodhur në hapësirën shqiptare, duke i vendosur ato më mirë në kontekstin e përgjithshëm historik kombëtar e ndërkombëtar. Mund të sqarojnë aspekte të panjohura ose pak të njohura të jetës së një pjese të personaliteteve historike shqiptare ose të politikanëve të huaj të lidhur me zhvillimet shqiptare etj.
Për këto arsye dhe të tjera, hulumtimi i dokumenteve me rëndësi për vendin, në arkivat shqiptare dhe të huaja, përmbledhja, përpunimi, përgatitja dhe botimi i tyre, u përfshi në mënyrë të institucionalizuar në drejtimet e veprimtarisë së institucioneve kërkimore shkencore të fushës së albanologjisë, historisë në përgjithësi dhe të institucioneve të tjera.
Ekipe studiuesish nga sektorët përkatës të Institutit të Historise (IH) të Akademisë së Shkencave (ASH) dhe ish-Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), punonjës të Arkivit Qendror të Shtetit (AQSH) dhe vetë ky institucion i rëndësishëm, Biblioteka Kombëtare dhe të tjerë institucione, si dhe studiues të veçantë etj, kanë kërkuar, kanë sjellë e vazhdojnë të sjellin mijëra e mijëra dokumente me shumë vlerë. Ato arrijnë një volum impresionues prej miliona faqesh, ku pasqyrohen të dhëna autentike për çështje të ndryshme të zhvillimeve politike, ekonomike, sociale, kulturore, arsimore etj të vendit. Disa prej tyre kanë ndërmarrë një veprimtari të gjithanshme dhe mjaft të lavdërueshme për përpunimin, digjitalizimin, lehtësimin dhe modernizimin e mundësive për shfrytëzimin e tyre online.
Botimet e deritanishme dokumentare, krahas akteve arkivore dhe burimeve të tjera bibliografike, janë shndërruar në “lëndë të parë”, mjaft të vyer dhe janë vënë në dispozicion të studiuesve për të hartuar studime për periudha, çështje, personazhe etj që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë, prej antikitetit deri në ditët tona.
E bëra këtë hyrje të gjatë sepse trashëgimia dhe përvoja e çmuar e deritanishme ka kaluar në brezat e rinj të studiuesve. Fjala vjen, disa vjet më parë doli në qarkullim vëllimi i parë i botimit “Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve (1912)”, përgatitur nga Paulin Marku, kurse dy vjet më parë, studiuesja, Dr. Erarba Çiraku, solli vëllimin e dytë, të titulluar Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (korrik – dhjetor 1912). Pikërisht ai u bë shkaku që më nxiti të shkruaja.
Përveç vlerave të padiskutueshme arkivore, bibliografike dhe shkencore tërheq vëmendjen edhe emri i autores që i ka përzgjedhur, përpunuar e përgatitur për botim nga Erarba Çiraku.
Sapo e merr në duar dhe fillon ta shfletosh e më tej të “zhytesh brenda” të kaplon ndjesia e këndshme që shkakton njohja me një botim me vlera të shumta.
Studiuesja Erarba Çiraku prezantohet me një formim profesional të plotë dhe kompleks. Pa dyshim që vjen si rezultat i faktit që ajo ka kryer me rezultate të shkëlqyera studime universitare në programet BA dhe MSH në ekonomi, shkencat politike, sociologji, marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe studime doktorature dhe kualifikime postuniversitare e postdoktorale, brenda dhe jashtë vendit.
Karakterizohet nga një kulturë e përgjithshme e gjithanshme, që është pasojë e studimeve të saj në fushat e mësiperme të shkencës e të dijes, të cilën ajo e plotëson dhe e zgjeron vazhdimisht nëpërmjet leximeve dhe studimeve të parreshtura.
Vjen në këtë sipërmarrje pas një përvoje po aq të suksesshme, si studiuese e kualifikuar dhe e sprovuar si autore e botimit Dokumente Diplomatike Italiane mbi Ismail Qemalin (17 gusht 1908-21 korrik 1910), e librit me shumë interes, “Emigracioni i Shqiptarëve në Itali gjatë periudhës postkomuniste” dhe shumë kumtesave e artikujve shkencorë, me vlera të padyshimta shkencore.
Ky botim dokumentesh ofron një bollëk të konsiderueshëm burimor për realitetet shqiptare të gjysmës së dytë të 1912, vitit specifik, që mund ta quanim pa hezitim, viti shqiptar. Vjen në formën e informacioneve autentike, shumë të vlefshme, shumë të dobishme dhe domethënës. Është përpunuar sipas një metodologjie shkencore të përshtatshme dhe është paraqitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dallohet kujdesi maksimal në trajtimin organizativ dhe teknik të çështjeve, çka e ka lehtësuar operimin e studiuesit nëpërmjet lëndës që përmban botimi. Ndjekja e kriterit kronologjik në pasqyrimin e lëndës ka ndihmuar së tepërmi në paraqitjen e sistemuar bukur.
Libri paraprihet nga një parathënie prej rreth 20 faqesh, përgatitur nga prof. dr. Ledia Dushku dhe vetë autorja e tij, Erarba Çiraku. Edhe pse relativisht e kondensuar në një volum të kufizuar, ajo iu shërben studiuesve për të depërtuar përnjëherësh në përmbajtjen e botimit. Aty theksohet se “raportet e diplomatëve të Fuqive të Mëdha kanë qenë prej kohësh ndër burimet më të përdorura në shkrimin e historisë së shqiptarëve që prej periudhës së vonë osmane, për të vijuar me atë të shtetndërtimit.”
Në vijim studiuesi njihet me disa aspekte metodike dhe përmbajtësore të botimit, ku trajtohen edhe çështje të mirëfillta të karakterit studimor e shkencor, në interes të inkuadrimit sa më të mirë të dokumentacionit në kontekstin e periudhës historike, të politikave antishqiptare të disa prej Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht të planeve aneksioniste të fqinjëve, të cilat ata tentuan t’i vinin në jetë gjatë luftrave ballkanike dhe sidomos në punimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, 1912-1913.
Dokumentet e paraqitura në libër nxjerrin në pah madhështinë e aktit historik të atit të Pavarësisë, politikanit, shtetarit e diplomatit të talentuar Ismail Qemalit, i cili me largpamësinë, mënçurinë, guximin dhe vendosmërinë e vet shembullore, diti të orientohej drejt në labirintet e politikave të Fuqve të Mëdha, shteteve përreth Shqipërisë, të kapërcente midis antagonizmave të interesave të tyre, veçanërisht të atyre italiane, austro-hungareze etj.
Diplomatët italianë përmes dokumentacionit që sillet në botimin e Erarba Çirakut, tregojnë gjithashtu edhe vështirësitë e jashtëzakonshme të cilave duhet t’iu bënte ballë Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e vet. Ato vinin jo vetëm nga Turqia që nuk donte të largohej nga trashëgimitë shqiptare të perandorisë së vet në Ballkan, nga fqinjët që kërkonin të zgjeronin hapësirat e skeptrave të tyre mbretërorë me territore shqiptare, nga veprimtaria e protektorëve të tyre ndërkombëtare, por edhe nga veprimtaria diversioniste, përçarëse, separatiste e disa prej krerëve shqiptarë që synonin kolltuqe qeveritare për të garantuar interesat e tyre politike dhe ekonomike. Pavarësisht gjithë këtyre pengesave, provohet se Ismail Qemali, besnik i idealit të vet dhe aspirates liridashëse të shqiptarëve, interesat e të cilëve përfaqësonte, ia arriti të përpunonte dhe të zbatonte një politikë të brendshme dhe të jashtme, që i dhanë shtetit shqiptar fizionominë e një shteti modern. Brenda kuadrit të kohës ai vepronte dhe funksiononte si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Pavarësisht së ndërkombëtarët nuk u shprehën qartësisht për njohjen e tij juridike, fakti ishte se të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe shtetin e asaj kohe, i mbanin nëpërmjet Vlorës, Qeverisë së Përkohshme që kryesohej nga Ismail Qemali. Kjo shërbeu jo vetëm për afirmimin relativ ndërkombëtar të saj, por edhe për përfshirjen e faktorit ndërkombëtar në administrimin fillestar të organizimit politik të shqiptarëve, instalimin e Komisisonit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe zbritjen në Durrës të princ Vidit, si kryetar i shtetit.
Botimi i Erarba Çirakut, ka edhe një tjetër avantazh të dukshëm, ideimin dhe formulimin e titujve që prezantojnë përmbajtjen e dokumentit, çka e lehtëson studiuesin për njohjen e shpejtë të asaj që pret të gjejë në dokumentin me të cilin do të merret.
Lehtësi e ndjeshme është pajisja e botimit, posaçërisht në aktet ku është gjykuar e arsyeshme, me të dhëna plotësuese, sqarime, shpjegime dhe hollësi rreth kontekstit historik në të cilin zhvillohen ngjarjet ose kanë vepruar personazhet.
Botimit ia shtojnë edhe më tej vlerat Fjalorthi i termave osmane, treguesi i emrave dhe shtojca e sqarime të tjera me të cilat shoqërohet.
Autores i është dashur të përballojë vështirësi të shumta si fjala vjen transkriptimi i saktë i akteve me shkrim dore, të cilat jo gjithmonë janë të qarta e të kuptueshme, identifikimi i toponimisë dhe emrave të njerëzve etj.
Sasia e madhe e informacionit, gjerësia e problematikës që ai përmban, si dhe cilësia e lartë e paraqitjes së tyre nga ana e hartuesve të dokumenteve, e bëjnë librin një burim me rëndësi për çështjet që lidhen me shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria osmane, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar.
Botimi i këtij volumi dokumentar, i vështruar dhe gjykuar bashkë me dokumentet nga burime të tjera arkivore e bibliografike, sidomos me ato austro-hungareze, franceze, britanike, osmane, ruse, amerikane, serbe, greke etj., i jep mundësinë studiuesve për t’u çliruar nga ndikimet e njëanshme politike të kushtëzuara nga interesa direkte ose të tërthorta gjeopolitike, strategjike, ekonomike etj të shteteve të caktuara. Nëpërmjet vlerësimit të ngjarjeve dhe personazheve në diapazonin dhe diversitetin e burimeve me prejardhje nga më të ndryshmet, krijohen përfytyrime objektive rreth zhvillimeve dhe faktorëve që çuan në pavarësinë shqiptare.
Libri do t’iu shërbejë studiuesve të mirëfilltë dhe admiruesve të historisë së Shqipërisë, pedagogëve, studentëve të programeve universitare, mësuesve të shkollave të mesme si dhe lexuesve të zakonshëm.
Gjykuar në këtë optikë autorja meriton përgëzime dhe lëvdata të shumta si për nismën ashtu edhe për kurorëzimin e saj me sukses të plotë./ DITA