Pak orë para vizitës së parë në Shqipëri, të sekretarit amerikan të Shtetit, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji thotë se Blinken është pasurim i traditës tonë pro amerikane.
“Është mirë për Shqipërinë e për shqiptaret, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi e kudo, sa herë një zyrtar i lartë amerikan viziton Tiranën.
Duhet të jemi krenar për aleancën që kemi me SHBA, për këtë pozicionim në anën e drejtë të historisë , kjo mbi të gjitha vjen nga sentimenti e orientimi i shoqërisë, i njerëzve i kombit që ka rrokur në masë dërrmuese vlerat perëndimore.
Raporti special e i ngrohtë që kemi me SHBA është në radhe të parë meritë e qytetarëve, më tej e politikanëve”, shkruan deputeti demokrat.
Teksa kujton vizitat e tjera të sekretarëve amerikanë të Shtetit, deputeti i PD thekson se vizita e Blinkenit në Shqipëri ‘pasuron këtë traditë të çmuar, dhe e veçon Tiranën tonë si qendër e rëndësishme në rajon, e pikë kyçe e partneritetit strategjik’.
Sipas tij, marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë duhen ushqyer në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa siç shkruan Salianji, “kemi detyrën ta ngremë Shqipërinë në stadin e një vendi normal demokratik”.
“Jam i bindur se këto marrëdhënie nuk duhen marre asnjëherë si të mirëqena, ato duhen ushqyer vazhdimisht. Ajo që lypset ne të bëjmë në këtë drejtim është jo e lehtë. Më së pari, kemi detyrën ta ngremë Shqipërinë në stadin e një vendi normal demokratik, ku respektohen të drejtat e njeriut, ku luftohet korrupsioni, ku mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, ku pushtetet janë të ndara e ku qeveria kontrollohet e jep llogari. Në këtë mënyre ne tregohemi në të vërtetë pro-amerikanë dhe meritojmë mbështetjen e shtetit më të rëndësishëm të globit”, mbyll reagimin e tij deputeti i PD, Ervin Salianji.