Me 72 vota pro, dy abstenime dhe amendamente të minutës së fundit, deputetët socialistë miratuan projektligjin për rikthimin e basteve online pesë vjet pasi qeveria “Rama” vendosi ndalimin e tyre. Deputetet e opozitës e kundërshtojnë procesin si jotransparent.
Mazhoranca socialiste miratoi të enjten projektligjin për rikthimin e basteve sportive online, duke bërë një amendim të minutës së fundit që i heq të drejtën Kuvendit për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare.
Me 72 vota pro dhe 2 abstenime, ligji do të rikthejë bastet sportive pas më shumë se 5 vitesh që u mbyllën nga qeveria.
Deputetët Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe abstenuan, por pa e argumentuar qëndrimin e tyre. Braçe si anëtar i komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku nisma e qeverisë u shqyrtua për 4 muaj rresht, ka shprehur rezervat e tij për efektet e ligjit.
Projekligji pësoi disa ndryshime nga versioni i miratuar nga ky komision, pasi disa deputetë depozituan amendamente në seancë.
Sipas këtyre amendamenteve, licensa për Lotarinë Kombëtare nuk do të miratohet më nga Kuvendi, por nga Komisioni i Licencave, një strukturë e ngritur me këtë ligj për licencimin e kompanive që do të futen në tregun e basteve online.
“Licenca për të drejtën e organizimit të lojërave të Lotarisë Kombëtare është një e vetme dhe i jepet për një periudhë 10-vjeçare subjektit aplikues, i cili përzgjidhet i pari në procesin e konkurrimit, të zhvilluar sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nëligjore të dala në zbatim të tij. Licenca miratohet me vendim të Komisionit të Licencave dhe bëhet efektive pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet të licensuarit, Drejtorit të Përgjithshëm të AMLF-së dhe kryetarit të Komisionit të Licencave,” thuhet në amendament. Për më shumë kliko KËTU