Vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë ka bërë jehonë në mediat amerikane. “ABC News” shkruan se vizita synon riafirmimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin kyç të Ballkanit, që mbështet Ukrainën në përballjen me Rusinë.
“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar lidershipin shqiptar në rajonin e gërryer nga lufta, si dhe rolin e tij në Këshillin e Sigurimit, si një vend anëtar jo i përhershëm”, shkruan “ABC”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot Shqipërinë për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit të plotë të Rusisë, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.
“Politiko” ka shkruar se bëhet fjalë për një vizitë të rrallë të një sekretari Shteti në një vend të vogël, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.