Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me Antony Blinken u shpreh se diskutuan për Kosovën dhe rajonin dhe se ndjen keqardhje kur ka hapa prapa, referuar asaj që po ndodh në Prishtinë dhe dialogut me Serbinë.
“Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë për të gjitha vendet e rajonit, që të shkojë përpara si i tërë. E nxisim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA kanë qenë janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës.
Shqiptarët në Kosovë nuk duhet ta harrojnë se pa SHBA nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës. Interesi i SHBA-së në këtë rajon dhe mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe Kosovë nuk është interes i dorës së dytë dhe asnjë një interes i ndarë nga interesi ynë në Shqipëri dhe Kosovë për të ndërtuar një të ardhme në paqe” tha ai.
Më tej, kryeministri Rama kritikoi Albin Kurtin. “Prishtina të mos bëjë asnjë hap të pa konsultuar dhe pa u koordinuar me aleatët tanë strategjikë, pasi është në radhë të parë në interesin e tyre dhe më pas të aleancës tonë. Nga veprimet e pa konsultuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme por nuk fitohet e ardhmja” tha Rama.