Pyetja e një gazetari amerikan që ka ardhur në Shqipëri në kuadër të vizitës zyrtare të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka vënë në vështirësi kryeministrin Edi Rama. Ajo lidhej me luftën mes Izraelit dhe terroristëve të Hamas në Gaza, dhe siç tha kryeministri ishte e vështirë për t’u trajtuar.
“Në 1988 Shqipëria ka njohur Palestinën dhe zyra e Benjamin Netanyahu (kryeministri i Izraelit) u shpreh sot më herët, që nuk është koha për të folur për dhurata për palestinezët, mendoni se është ende e mundur të kemi një zgjidhje me dy shtete me qeverinë aktuale izraelite?”
Kjo ishte pyetja e gazetarit amerikan, së cilës kryeministri Edi Rama ju përgjigj gjatë duke treguar dhe kontekstin e gjerë të kësaj njohje ndërkombëtare, më shumë se 35 vite më parë.
Lideri i qeverisë shqiptare tregoi se në 1988 Shqipëria ishte një vend komunist dhe regjimi i atëhershëm ishte kundër atyre që i quante armiq, duke nisur nga Amerika, Bashkimi Sovjetik dhe Izraeli, ndaj njohu pavarësinë e Palestinës.
Edi Rama: Në këndvështrimin tim modest, është aspekti më i vështirë politik për tu trajtuar dhe për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj. Kohë më parë, Shqipëria ka njohur Palestinën dhe për t’ju dhënë pak kontekst: Shqipëria ka qenë diktaturë komuniste dhe diktatori ynë ishte një prej miqëve, aleatëve më të ngushtë të Organizatës për Shtetin e Palestinës dhe asaj të Arafatit.