Sali Berisha: E nisëm këtë betejë dy vite më parë me dy fjalë “non grata”, një term i përdorur si dikur armiku i popullit, menduan se do të na asgjësonin, asnjë provë dhe fakt, asnjë dokument, por gabuan, sot pas tre viteve, hetimeve në Shqipëri dhe botë nuk kanë gjetur asnjë provë apo fakt që të provojë akuzën e tyre të rreme. Vetëm 4 ditë më parë gjykata e Uashingtonit dënoi me tre vite burg McGonigalin.
Një lobist i korruptuar i shpalljes sime non grata nga Edi Rama. Na grabitën edhe vulën. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletën e votimit. Na mohuan financat dhe komisionerët. Mediat dhe diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar i frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit mes nesh dhe si në Rusinë e Putinit lideri i opozitës u arrestua si person në hetim dhe u tentua t’i ndalohet fjala e lirë.
Në fakt për të gjitha këto sot nuk duhet të ekzistonim politikisht, por fituam. E gjitha kjo luftë u bë që të ishim të shtrirë përtokë dhe të përçarë që të mos ishim këtu, që Shqipëria të mos kishte opozitë, por ne realizuam të pamundurën. Asnjë opozitë në planet nuk do të ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj nesh, sikur nuk ekziston opozitë në Rusi apo Bjellorusi ku janë marrë masa si kundër nesh. Ndaj ju vini sot në këtë shesh si heronj të së vërtetës.