Para gjykatës kanë dëshmuar pjesëtarët e stafit ku pinte kafen biznesmeni Behar Sofia, i ekzekutuar në 25 shkurt të vitit 2021. Dëshmitarët kanë dëshmuar ndaj Jemin Sherës, i njohur me nofkën “bajlozi”, i akuzuar nga SPAK si organizatori i vrasjes së Behar Sofias.
Viktima ishte i njohur për tre dëshmitarët pasi pinte shpesh herë kafen në lokalin ku ata punonin.
Pronarja e kafeterisë, Engjellushe Banja ka deklaruar se Behar Sofian e njihte prej 23-vitesh, pasi ishte një klient i përhershëm në biznesin e saj.
Në seancë u lexua dhe dëshmia e Ardjana Vathit, bashkëshortja e një prej të dënuarve, Skënder Vathit.
Ajo ka pranuar se ka shkuar disa herë për të pirë kafe në këtë lokal, SPAK thotë se ata e kanë vëzhguar viktimën për rreth 6 muaj.
Të pandehurit e tjerë në këtë çështje, Xhuliano Visha, Leonardi Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar me nga 30 vite burg për ngjarjen ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë që është edhe ekzekutori i Sofias, Ernejt Shyti është dënuar me 7 vite burg.