Beogradi është alarmuar sërish me çështjen e “spiunëve” të huaj të cilët operojnë në Serbi. Sipas asaj që raportojnë mediat serbe, një shtetas serb i cili dyshohet se punonte për shërbimin sekret shqiptar dhe atë kosovar është arrestuar ditën e sotme.
“Një anëtar i grupit të spiunazhit është arrestuar në një operacion të përbashkët nga anëtarët e Agjencisë për Siguri dhe Informacion dhe Prokurori i Lartë Publik i Jagodinës”, raporton “Novosti”.
Më tej në mediat serbe thuhet se arrestimi erdhi si pjesë e hetimit të një grupi spiunësh në Serbi, nga shtetasi me inicialet D.R., për llogari të SHISH dhe agjencitë e inteligjencës në Kosovë.
“Është arrestuar shtetasi me inicialet P.M nga Jagodina, teksa po kthehej nga jashtë vendit. Ai dyshohet për veprën penale të spiunazhit dhe i është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë”, raporton “B92”.
Sipas dyshimeve serbi i arrestuar, me urdhër të drejtuesit të grupit, është angazhuar në mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave për lëvizjet e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore dhe të ushtrisë serbe në zonën e Serbisë qendrore.
Përveç nevojave për inteligjencë, mediat serbe shkruajnë se grupi i përdori të dhënat edhe për përpjekje për diskreditimin e Republikës së Serbisë në kuadrin ndërkombëtar.
Anëtarët e BIA-s zbuluan në fillim të vitit një rrjet spiunazhi në territorin serb, çka çoi në arrestimin e shtetasit me inicialet D.R., shtetas serb, i cili drejtonte grupin, me dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë – SHISH në vitin 2022, sipas urdhërave dhe detyrave të të cilit ka vepruar deri në arrestimin e tij.
Në kuadër të hetimeve, anëtarët e BIA-s, në afërsi të fshatit Karadak, në afërsi të Rashkës, ndër të tjera kanë gjetur një aparat fotografik dhe një panel diellor që furnizonte kamerën me rrymë si dhe një kartë SD. /Pamfleti