Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut po mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë. Për këtë duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e tridhjetë deputetëve në parlament. Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndër ta edhe individë të panjohur për publikun. Partitë shqiptare edhe pse garojnë për zgjedhjet e 24 prillit, po e përqendrojnë kërkesën e tyre tek zgjedhja e presdentit me konsensus në parlament.
Garuesit e partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate pritet të konfirmohen nga kuvendet qendrore të partive. Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate do të garojë për një mandat të dytë, teksa Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së garon sërish pas pesë vjetësh. Në vitin 2019 ajo humbi përballë zotit Pendarovski.
Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.
Këta të fundit pritet të marrin dhjetra mijë vota në raundin e parë, por pak është e besueshme se njëri nga ta mund të kalojë në raundin e dytë, sepse deri më tani nuk ka ndodhur që një shqiptar të përballet në balotazh me një garues maqedonas për president. Por, është elektorati shqiptar që ndihmon zgjedhjen e presidentit në këtë vend.
Për të fituar zgjedhjet që në raundin e parë nevojitet mbi pesëdhjetë përqindëshi i votave të elektoratit. Maqedonia e Veriut ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues, ndërsa shënohet një trend në ulje i interesimit për të votuar.
Analisti Xhelal Neziri vlerëson se zgjedhjet presidenciale do të jenë të tensionuara për shkak se mbahen vetëm dy javë para zgjedhjeve parlamenare. Për më shumë kliko KËTU