Kryeministri Edi Rama mori pjesë online në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në një aktivitet të zhvilluar në Londër.
Rama foli për sistemin e energjisë, ku çmimi nuk është rritur ndërsa borxhi publik ka rënë nën 60%. Gjithashtu Rama shtoi në fjalim faktin se në Shqipëri numri i turistëve është rritur duke shkuar në 10 milionë.
“Unë jam veteran i këtyre formateve sepse kam qenë i pranishëm qysh si ka lindur ky format para 10 viteve. Në 10 vite kanë ndryshuar shumë gjera, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi.
Rajoni po ndryshon, bota po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar. Nga një vend me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend që vitin e kaluar ka shkuar në një shifër 10 milionë turistë.
Dallimi para 10 vitesh është se resurset tona po diversifikohen me energji solare dhe energji të erës dhe sistemit jonë që ka qenë gati për tu shkatërruar për shkak se shumica e popullatës nuk paguante faturën, sot kemi një pasqyrë tjetër.
Çmimi i energjisë tonë nuk ka ndryshuar fare dhe në trendët jemi nën nivelet e rajonit dhe borxhi ynë publik ka pësuar rënie historike nën 60 % në 2023.
Bashkë me vendet e tjera të rajonit jemi vend i mirë për të shtuar investimet serioze. Për ti përgjigjur pyetjes pse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri? Një përgjigje e thjeshtë është: Duhet sepse nëse nuk e bëjnë ata e bën tjetër kush”, u shpreh Rama.