Rusia të martën ka urdhëruar një ndalesë gjashtëmujore të eksporteve të benzinës duke nisur nga 1 marsi, me qëllim që të mbahen stabile çmimet për shkak të rritjes së kërkesës nga konsumatorët dhe fermerët.
Kjo ndalesë po ashtu u vendos për të mirëmbajtur rafineritë në shtetin që është eksportuesi i dytë më i madh në botë i naftës.
Ndalesa, që fillimisht u raportua nga media ruse RBC, u konfirmua nga zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, i cili është emëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të merret me sektorin e energjisë së shtetit.
RBC raportoi se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, kishte miratuar ndalesën pasi Novak e propozoi këtë gjë më 21 shkurt.
“Për të kompensuar kërkesën e tepërt për produkte të benzinës, është e nevojshme që të marrë masa për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në tregun e brendshëm”, citohet të ketë thënë Novak në propozimin dërguar Mishustinit.
Çmimet e benzinës në Rusi janë një çështje e ndjeshme për konsumatorët dhe fermerët në shtetin që është eksportuesi më i madh i drithit në botë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në mars.