Pas samitit të zhvilluar dje në Tiranë për Ukrainën, sot kryeqyteti do të presë një tjetër samit, atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, me fokus integrimin e rajonit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e planit të rritjes ekonomike.
Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore. Rritja e integrimit ekonomik me tregun unik të Bashkimit Evropian. Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. Përshpejtimi i reformave themelore. Rritja e ndihmës financiare. BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.