Dy persona ndërruan jetë, ndërsa 7 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi të ndodhur pasditen e së premtes në Lushnjë.
Shkak mendohet të ketë qenë rënia e linjës së tensionit mbi depozitën e gazit duke sjellë dhe shpërthimin e saj. Dy prej të plagosurve, një 41-vjeçar dhe deputeti socialist u sollën për trajtim më të specializuar në Tiranë, nga ku mëngjesin e së shtunës mësohet se pas ndërhyrjes kirurgjikale, ata ndodhen në gjendje të qëndrueshme, nën monitorimin e mjekëve.
Por si ndodhi ngjarja? Dy janë pistat kryesore; gabimi njerëzor ose mungesa e kushteve të sigurisë në punë. Avokati Eridi Sherifi, i cili është i specializuar në çështjet e aksidenteve në punë në një lidhje me “Skype” për “5Pyetjet.al” thotë se “gjykoj që është një aksident dhe nëse do të kishim një vëmendje më të shtuar ndaj rregullave në punë do të ishte evidentuar.
Nuk do të ishim përpara kësaj ngjarje tragjike. Dikush që përdor atë makineri do të duhet të udhëzohet derisa sa e ka mundësinë për të bërë punën e tij për të mos pasur këtë kontakt me rrymën elektrike” tha ai për “5Pyetjet.al”.