Ditën e sotme një ushtar i Ushtrisë Turke ka ndërruar jetë sa ishte duke fjetur.
Ai ishte pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Ekipin Monitorues Ndërlidhës të Gjilanit.
Shkaku i saktë i vdekjes së tij ende nuk është konfirmuar.
“Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi me shërbimin e tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij në mision do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë. Janë njoftuar familjarët e ushtarit të ndjerë”, thuhet në komunikatë.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka shprehur ngushëllimet e tij të përzemërta.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe miqtë e ushtarit të ndjerë. Humbja e tij ndihet në të gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij përmes përkushtimit tonë të palëkundur ndaj misionit të KFOR-it”, tha Ulutaş.