Ditën e sotme është hapur zyrtarisht baza e NATO-s në Kuçovë. Inaugurimi i kësaj baze është bërë përmes një ceremonie zyrtare, pjesë e të cilës janë personalitete të shumta të vendit dhe jo vetëm.
Kryeministri Edi Rama u shpreh në fjalën e tij se pret që pas Kuçovës të miratohet kërkesa për bazën tjetër, detare në Porto Romano.
“Jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria ndodhet në anën tjetër duke mirëpritur me krenari aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes.
Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh arriti të përfundojë, dhe sot me ne janë plot miq e partnerë që do të doja t’i falënderoja në mënyrë të posaçme. Kjo bazë është e transformuar dhe e gatshme me një rëndësi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.
Është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon, jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti, pjesë e ripërtëritjes së flotës sonë ajrore.
Dy helikopterët e rinj dhe dronët janë pjesë e një rritje që do të vazhdojë. Falënderoj të gjithë banorët e zonës për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit të kësaj baze
Me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re do të shoqërohet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë që së shpejti do i gëzohemi lajmit së përfshirjes së këtij projekti në aleancën e NATO-s” tha ai.
Më tej, kryeministri falënderoi miqtë e pranishëm mes tyre “ministri i Mbrojtjes së Italisë që ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete” tha ai.