-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Si po e trajton Serbia terroristin Millan Radoiçiç

Kryesoret

Pas sulmit në Banjskë, firmat të cilat i kishte në pronësi Millan Radoiçiqi morën tenderë nga qeveria serbe në vlerë prej 8.5 milionë eurosh

Se Millan Radoiçiqi mbetet një “aset” i rëndësishëm i pushtetit në Serbi për të destabilizuar Kosovën, këtë e dëshmoi sërish, në mënyrë vizuale, fotografia në të cilën shiheshin duke bërë muhabet në një lokal Millan Radoiçiqi dhe Marko Gjuriqi, ambasadori i Serbisë në Washington, njeri i besueshëm i presidentit Aleksandar Vuçiq dhe me gjasë kandidat për kryeministër të ardhshëm të Serbisë.

Gjuriqi e konfirmoi takimin me plot krenari. Në mënyrë simbolike Gjuriqi ia tregoi gishtin e mesëm asaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare, e cila kërkon që fajtorët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të dalin para gjyqit në Serbi. I pari që do të duhej të ulej në bankën e të akuzuarve është Millan Radoiçiqi. Nuk ka shenja se kjo do të ndodhë.

Përkundrazi, ka tendenca që ai të trajtohet butësisht nga drejtësia si një prishës i rendit publik, si kundërvajtës i rëndomtë. Vuçiqi ka deklaruar se autoritetet përkatëse do t’i akuzojnë njerëzit për Banjskën “për shembull për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. “Si t’i akuzojmë për ndonjë vepër tjetër penale kur ata do të shfaqen dhe do të thonë ‘po ne vetëm punën tonë kemi kryer, sepse sipas Rezolutës 1244 ajo i takon Serbisë, e sipas asaj rezolute do të duhej të ishin 1000 ushtarë e policë të cilët nuk i pranuan, andaj ne qemë të shtyrë të mbrojmë tokën tonë’. E çfarë të themi ne? Për këtë do të gjykoheni?”

Ndërkohë firmat e Radoiçiqit në Serbi punojnë dhe gjenerojnë para pandërprerë ose siç thuhet serbisht: “punom parom”. Siç njofton portali serb “Radar” në një hulumtim të gjatë, më 6 tetor Radoiçiq formalisht ia kaloi aksionet ortakëve të tij – vëllezërve Zvonko dhe Zhelko Veselinoviq, të cilët po ashtu janë njerëz të besueshëm të regjimit serb me shtrirje të veprimtarisë së dyshimtë deri në Kosovë. Një firmë e Zvonko Veselinoviqit ka përfituar tenderë edhe në Republikën e Kosovës duke u bërë bashkëndërtuese e autostradës nga Vërmica deri diku në arat e Malishevës. Transferimi i aksioneve pas sulmit në Banjskë, supozon “Radar”, nuk domethënë se Radoiçiqi tani ka mbetur pa punë e para. Përkundrazi. Duket se është vetëm një përpjekje për të fshehur gjurmët.

Dy ditë pas sulmit në Banjskë, më 26 shtator 2023, firma “Rad 028” nga Zveçani, të cilën e kontrollon Radoiçiqi dhe të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e zezë, fitoi dy tenderë që i kishte shpallur komuna (ilegale) e Zveçanit. Më 28 shtator “Rad 028” u shpall fituese edhe në dy tenderë të tjerë. Dy plus dy bëjnë – katër tenderë. Vlera e tyre: 8,5 milionë euro. Në 10 vjetët e fundit firma “Rad 028” ka fituar qindra tenderë nga shteti serb. “Radar” ka zbuluar se vlera e tenderëve të firmës së Radoiçiqit është rritur pa masë nga viti 2018 e tutje.

Më 2018 Radoiçiqi u bë kryetar i Listës Serbe, degës së partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kosovë. Deri në sulmin terrorist në Banjskë vlera e tenderëve të fituar nga firmat e Radoiçiqit arriti në gati 120 milionë euro. Disa nga punët që është dashur t’i kryente ndërmarrja e Radoiçiqit nuk i ka kryer kurrë, disa i ka lënë përgjysmë. Nga janari qeveria serbe nuk i ka dhënë asnjë tender firmës “Rad 028”, edhe kjo një përpjekje për të fshirë gjurmët e bashkëpunimit shumëvjeçar mes shtetit dhe rrjetit kriminal të Radoiçiqit, të cilin ithtarët e tij e quajnë “komandant”, ndërsa Vuçiqi e quan aleat.

Por firmat e tjera të themeluara nga Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq vazhdojnë të punojnë, ka ndryshuar vetëm struktura pronësore e kompanisë Inkop, e cila është pronare e ndërmarrjeve Novi Pazar Put, Betonjerka Aleksinac, Doli Bel, e cila është pronare e hotelit me të njëjtin emër në Kopaonik dhe ndërmarrjes Putna Gradnja në Rozhajë. Vetëm Inkop, pa ndërmarrje të tjera, në vitin 2022 ishte njëra nga pesë firmat më të mëdha ndërtimore në Serbi, menjëherë pas China Railway International. Gjithnjë sipas hulumtimeve të mediumit “Radar”, firmat që kontrollojnë biznesmenët Radoiçiq dhe Veselinoviq vetëm gjatë viteve 2021 dhe 2022 kanë fituar 47,6 milionë euro.

Vuçiqi thoshte për Radoiçiqin se “nuk është akademik, por i mbron serbët”, ndërsa së fundi, për shkak të presionit amerikan (evropianët po mjaftohen me apele të vakëta), ka filluar të bëjë sikur po distancohet nga organizatori i sulmit në Banjskë. Sipas “Radar”, Radoiçiq është i gjithëfuqishëm në Serbi (dhe deri më 24 shtator 2023 i tillë ishte edhe në veri të Kosovës). Ai mund të grushtojë persona të tjerë në hapësirë publike, kurse pas dyerve të mbyllura t’ua thyejë nofullën apo dorën ose – kur bëhet fjalë për gra – të japë urdhër që t’i qethen flokët.

Por në botën e Radoiçiqit qethja e flokëve është ndëshkimi më i vogël. Në prill 2023 u gjet i vdekur në banesën e tij në Kralevë, Nebojsha Simoviq, kryeshef i qarkut të Rashkës, ish-polic, i lindur në Prishtinë. Sipas një versioni jozyrtar, para vdekjes Simoviq u ballafaqua me Radoiçiqin lidhur me një projekt ndërtimor në Kralevë. Në Serbi ka zëra që vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq në Mitrovicë më 16 janar 2018 e ndërlidhin me rrjetin e Radoiçiqit. Vetë Ivanoviqi para vdekjes pati thënë se serbët në veri më shumë janë të kërcënuar nga grupet mafioze të mbështetura nga Beogradi se nga shqiptarët. Si kundërshtar i projektit famëkeq për prishjen e kufijve të Kosovës, Ivanoviqi ishte pengesë jo vetëm për sponsorin kryesor të idesë së ndarjes së Kosovës: Aleksandar Vuçiq.

Sipas të gjitha gjasave përgatitjet për sulmin në Banjskë filluan në Vërnjaçka Banjë e rrethinë, përfshirë një objekt policor në Mitrovo Polje. Sulmi ishte një tentim i ri i Serbisë për të rikthyer në tavolinë idenë e rrudhjes territoriale të Kosovës, duke grabitur së paku veriun e Kosovës. Vërnjaçka Banja cilësohet si qendër ku Radoiçiqi dhe banda e tij kishin një nga bazat e bizneseve të tyre. Opozitarët serbë në atë qytet janë të bindur se Vërnjaçka Banja ishte me vite një qendër për spastrim parash përmes “investimeve” në fushën e ndërtimeve. Njëri nga terroristët e vrarë në Banjskë u varros në Vërnjaçka Banjë. Dhe në varrim mori pjesë – kush tjetër pos Millan Radoiçiqi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit