Furrat e bukës që kanë të integruara shërbime të tjera si pastiçeri apo bar kafe do të diferencohen në tarifat që paguajnë për energjinë.
Gjatë një tryeze për përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave , Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi bënë të ditur propozimin që do të dërgohet në Entin Rregullator të Energjisë dhe që vendos këto subjekte në një raport të drejtë pagese.
Balluku tha se në vend janë të paktën 2600 furra buke dhe kjo e ka bërë qasjen ndaj kësaj çështje të kujdesshme për të trajtuar secilin prej tyre sipas kushteve ku ndodhet.
Aktualisht furrat e bukës paguajnë një tarifë 7/.6 lekë/ kwh sipas një çmimi të vendosur nga Enti vite më parë por që nuk merr parasysh ndryshimet apo evoluimin që ka pësuar ky treg viteve të fundit.
Pas konsultimeve duket se palët kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme për të cilat administratori i OSHEE tha se do të dërgohen në ERE.
“Kemi bërë një lloj tipologjie dhe sot vijmë me një propozim që ka ka tre çmime: 7.6 lekë/kwh që është vetëm për subjektet që kanë veç furrë buke. Çmim 9.5 leke që është për furra buke dhe aktivitete më të integruara si pastiçeri apo produkteve të tjera të brumit dhe 12 lekë/kwh që është për ambiente që kanë dhe bar kafe. Gjithë elementët janë dakordësuar me shoqatën. Jemi në situatën që do çojmë në ERE dakordësinë për tre çmimet dhe mendojmë kjo do japë një zgjidhje të përhershme për furrat e bukës.”; nënvizoi Karakaçi.
Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministre e MIE, Balluku tha se procesi do të ndiqet me kujdes hap pas hapi për të qartësuar problematikat që mund të ndeshen dhe për të lehtësuar këtë tranzicion të bizneseve./Monitor