Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Bledi Çuçi priti sot në një takim reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian Isabel Santos.
“Diskutuam për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së dhe domosdoshmërinë e ngritjes së rolit të Kuvendit në një nivel tjetër mbikëqyrës të negociatave. E informova për platformën e re të dialogut politik me opozitën brenda Komisionit të Ligjeve si një mekanizëm për të diskutuar për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar”, thotë Çuçi.
Teksa zhvillohej takimi ai foli për rikthimin e opozitës në normalitet duke thënë se ky është një sinjal i mirë.
“Rikthimi i opozitës në normalitet është një sinjal i mirë pas disa muajsh kaosi e sjelljesh aspak europiane. Ne jemi të përkushtuar të vijojmë me reformat dhe të shfrytëzojmë këtë moment të ri të procesit të zgjerimit të BE”, ka thënë ndër të tjera Çuçi.