Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i drejtuar nga Alket Veliu promovoi mbrëmjen e djeshme veprën e rrallë poetike të Prof.Dr. Irakli Koçollarit “Alipashaida” ku në qendër është Çamëria. Thirrje e Akademisë së Shkencave ishte që të nxirren nga pluhuri i harresës veprat e autorëve të vjetër arvanitas e çamë!
Prej kohësh kemi pasur rastin të njihemi dhe të ndjekim punimet e Prof.Dr. Irakli Koçollarit, një nga studiuesit më të përkushtuar shqiptarë, me një aktivitet intensiv përmbi katër dekada.
Ribotimi i plotësuar i veprës poetike “Alipashaida” të Haxhi Shehretit ka qenë një ndërmarrje e vështirë për historianin dhe përkthyesin Irakli Koçollari. Por ai e ka sjellë atë në variantin e ri, të plotësuar, me mjaft mjeshëtri dhe kompetencë gjuhësore, letrare dhe shkencore.
Studiuesit që diskutuan rreth këtij libri në sallën shkencore të Akademisë së Shkencave gjatë promovimit të librit, organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, e cilësuan përshtatjen në shqip të kësaj vepre një kontribut të shquar për historiografinë shqiptare.
“Iliada shqiptare”, një poemë unike origjinale, e cilësoi poemën “Alipashaida” studiuesi i njohur Shpend Topallaj. Ndërsa autorin e saj, Haxhi Shehretin nga Delvina, një krijues autentik. Ndërsa shkrimtari Enver Kushi u shpreh se ky libër mbart një peshë të rëndë përsa i përket vlerave shkencore dhe estetike.
Është një libër që sjell vetëdijen kombëtare. Prof. Koçollari e vendos poemën në tri rrafshe: historik, gjeografik dhe kulturor. Poema është një kronikë e saktë e bëmave të Ali Pashës, e shkruar me një gjuhë poetike. Duke kundruar vepra të tilla ia vlen t’i kthehemi pasurisë së bollshme epiko-letrare në zonën e Epirit.
Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi, në vlerësimet e tij për veprën, tha mes të tjerash se Koçollari e ka gdhendur me realizëm figurën e Ali Pashës, ndërsa te poeti Shehreti del qartas vizioni i Aliut si reformator dhe ndërtues veprash të mëdha për kohën, vizion i ndryshëm nga ai i pashallarëve të tjerë para tij.
“Në veprat e Irakli Koçllarit gjen gjëra të jashtëzakonshme” tha historiani Hajredin Isufi. Te ky autor kam gjetuar materiale të rralla, të cilat i kam kërkuar dikur nëpër arkiva, pa mundur t’i gjeja dot.
“Vepër gjigande” e cilësoi “Alipashaidën” anëtarja e Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Floresha Dado. Ndërsa autorin e saj, Haxhi Shehreti, si pionier të poezisë shqiptare, i cili me këtë vepër hap disa sfida që mund të ndryshojnë rendin e letërsisë shqiptare. Zonja Dado vlerësoi prof. Koçollarin si një studiues serioz, me talente të shumta jo vetëm në fushën e historisë, por edhe në atë të përkthimit dhe letërsisë.
Studiuesi i njohur Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, duke e parë në një këndvështrim tjetër këtë vepër, tha se kjo poemë, e cila ka gjithë elementët për të qenë një poemë epike, është shkruar në greqisht, ndaj nuk mund të hyjë në fillesat e letërsisë shqipe. Vepra ka dy autorë, të cilët i ndan një periudhë dy shekullore. Kjo vepër ishte befasi kur u publikua për herë të parë në vitin 1997.
Ajo mund të konsiderohet një monument antropologjik për botën shqiptare në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por është edhe një poemë psikologjike, me shtrirje hapësinore gjeografike tepër të madhe, ku në qendër është Çamëria. Në gati një të tretën e veprës ngjarjet zhvillohen në Çamëri. Për përkthyesin Koçollari padyshim vështirësi ka qenë greqishtja arkaike.
Një autor tepër të rëndësishëm e cilësoi Shehretin, edhe studiuesi Ahmet Mehmeti. Ndërsa vlerësoi si një punë virtuoze përkthimin e Irakli Koçollarit. Drejtuesi i Fondacionit Çamëria Alket Veliu tha: Prej vitesh kemi pasur rastin të njihemi dhe të ndjekim punimet e prof. Irakli Koçollarit, si një studiues me vokacion kombëtar, i cili ka çarë në një rrugë të parrahur më parë, siç janë cikli i botimeve për Arvanitët dhe Ali Pashë Tepelenën.
“Ali Pashaida”, rrëfen për një punë intensive dhe pasionante, që hedh dritë mbi një traditë të hershme shkrimore. Është një vepër me një mesazh të qartë, që dallohet për kulturën gjuhësore të përkthimit si dhe për kulturën shkencore të analizës, duke u bërë kështu një vepër e nivelit të lartë akademik, në kuptimin e plotë të fjalës.
Pavarësisht se disa autorë grekë e quajnë “Alipashaidën” si artin e vërtetë grek, kjo vepër transmeton vlera të mëdha që lidhen me traditën kulturore shqiptare. Mendoj se ka ende shumë punë për të nxjerrë nga pluhuri i harresës vepra të tjera të traditës, sidomos ato që i përkasin periudhës së zhvillimit të humanizmit shqiptar në shekullin 14-15, si dhe në shek. 17-18, që përkon me periudhën e Rilindjes Evropiane në Shqipëri.
Veç veprave të dijetarëve të tillë të shquar si Leonik Tomeu (1456-1531), Marin Biçikemi (1468-1526), apo Gjon Gazulli (1400-1465), të shkruara latinisht dhe të botuara jashtë Shqipërisë, kemi veprën e poetit Lekë Matranga, (1560-1619) figurë madhore e letërsisë arbëreshe, pasardhës i një familjeje të shquar që mendohet se kish emigruar nga Çamëria. Matranga shkroi poezinë e parë shqip dhe hapi shkollën e parë shqipe, por që fatkeqësisht në tekstet tona shkollore kjo shkollë nuk përmendet.
Por kemi edhe autorë të tjerë, arvanitas dhe çamë, vepra e të cilëve duhet të njihet dhe të dokumentohet në fondin e traditës si: Maksim Artioti, Abedin Dino, Thimjo Gogozoto e shumë të tjerë. Përshëndes Akademinë e Shkencave që promovon vepra të tilla, për të cilat shumë pak njerëz kanë dijeni, dhe, në emër të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, bëj një apel për studiuesit shqiptarë për rritjen e botimeve të tilla të rralla të fondit të traditës, duke nxjerrë nga pluhuri i harresës edhe veprat e ndritura të autorëve të vjetër arvanitas e çamë.
Identiteti nuk mund të mbrohet pa rrënjët e thella kulturore, tha në mbyllje Prof. Irakli Koçollari. Këto rrënjë janë armët e qëndresës dhe mbijetesës. Fuqia e mbijetesës së një populli lidhet me fuqinë e shpirtit. Në këtë pasuri do të rendisja dhe këtë vepër, që jam munduar ta përgatis me pasion e përkushtim, deri sa e solla në duart e lexuesit në këtë variant të plotë me 10 mijë vargje.