Pavarësisht nëse është fizik apo psikologjik, bullizmi dhe forma të tjera të dhunës së bashkëmoshatarëve mes të rinjve nuk janë asgjë e re.
Por një studim i 44 vendeve në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada tregon një rritje të bullizmit kibernetik që nga viti 2018.
Studimi “Sjellja shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore” u botua më 27 mars 2024, nga OBSH/Evropë. Ai identifikon “dixhitalizimin në rritje të ndërveprimeve të të rinjve” si shkakun kryesor të bullizmit kibernetik.
Studiuesit u bënë thirrje pjesëmarrësve të studimit – adoleshentët 11, 13 dhe 15 vjeç – të raportojnë sjelljen dhe përvojat e tyre me ngacmimin.
Mesatarisht, më shumë djem sesa vajza pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatarëve të paktën 2-3 herë në muaj gjatë “dy muajve të fundit”.
Dhe “prevalenca e përgjithshme e bullizmit kibernetik” ishte më e larta në moshën 13 vjeç dhe “dukshëm më e lartë” midis djemve të të gjitha moshave, shkruajnë autorët e studimit.
Ata vunë në dukje se mes djemve të anketuar, 15-vjeçarët në Lituani raportuan prirjen më të lartë për ngacmimin kibernetik të të tjerëve. Midis vajzave, 13-vjeçarët në Rumani kishin më shumë gjasa për t’u përfshirë në një sjellje të tillë.
Nga ana tjetër, rreth një në 10 djem dhe vajza raportuan se ishin ngacmuar në shkollë të paktën dy ose tre herë në muaj gjatë dy muajve të fundit.
“Në përgjithësi, 15% e adoleshentëve raportuan se ishin ngacmuar kibernetikë të paktën një ose dy herë në dy muajt e fundit (15% e djemve dhe 16% e vajzave)”, shkruajnë autorët e studimit.
Një në 10 adoleshentë raportoi se ishte përfshirë në përleshje fizike të paktën tre herë në 12 muajt e fundit (14% e djemve dhe 6% e vajzave)./DW