Me tensione është shoqëruar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës për të zgjedhur një nga 2 nënkryetarët si kryetar të komanduar.
Mbështetës të Jorgo Goros dhe qytetarë të Himarës u mblodhën para Bashkisë dhe kërkuan largimin nga mbledhja të Vangjel Tavos dhe drejtuesit të PS për Vlorën, Blendi Klosi.
Një prej të pranishmëve në sallë, mbështetës i Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 majit, që ndodhet pas hekurave, ka pështyrë në fytyrë prefektin e qarkut të Vlorës, Vangjel Tavon.
Për shkak të tensioneve, mbledhja u shty për në orën 12:00. Në mungesë të Belerit dhe Goros, sipas ligjit, detyrën e kryetarit e merr përkohësisht nënkryetari i Bashkisë.
Por Himara ka dy të tillë të emëruar më parë nga Jorgo Goro, e në këtë situatë, është Këshilli Bashkiak i Himarës që do të votojë se cili prej tyre do të komandohet në detyrën e kryetarit të bashkisë.
Dy nënkryetarët janë Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria.