Pas shtatë muajsh, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ku nën akuzë janë vënë 9 persona.
SPAK shpëtoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga korrupsioni duke e akuzuar vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, në dhënien e koncesionit të vitit 2015, dyshime këto për të cilat më herët prokuroria ka caktuar masën e detyrimit për t’u paraqitur.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncensionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas prokurorisë së posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, 2 prej tyre janë në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa 4 të tjerë atë të “detyrimit për tu paraqitur”.