Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pret që Millosh Vuçeviç, të cilin e ka mandatuar për kryeministër, të marrë mbështetjen në Parlament për formimin e Qeverisë së re, e cila sipas tij, do të ketë para vetes detyra të mëdha e të vështira.
Millosh Vuçeviq, ish-ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i subjektit në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), u mandatua për formimin e Qeverisë së re serbe një ditë më parë nga Vuçiqi.
“Ne jemi në një pozicion specifik sepse jemi të vetmit që kemi statusin e një shteti që është neutral ushtarakisht në këtë pjesë të rajonit. Ne gjithmonë jemi gati të mbrojmë veten, por nuk e kërcënojmë askënd”, tha Vuçiç më 31 mars, gjatë një vizite te Forcat e Armatosura të Serbisë në aeroportin ushtarak në Batajnicë.
Ai paralajmëroi për furnizim me avionë luftarakë, armë të artilerisë dhe raketahedhës.
Ndërkaq, Vuçiç foli edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas liderit serb, ka kërcënuar Serbinë se do ta padisë për gjenocid dhe tani do që të përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të iniciuar padi ndaj Serbisë.
Më 30 mars, Kurti deklaroi se autoritetet po përgatiten që Serbia të akuzohet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo është pjesë e një sulmi masiv për sulme dhe presione ndaj popullit serb dhe Serbisë. Ne do t’iu rezistojmë atyre dhe do të fitojmë”, tha Vuçiç./REL