Struktura e rritjes ekonomike në vitin 2023 tregoi rënie të theksuar të sektorit të prodhimit në vend dhe sidomos bujqësisë, që është edhe sektori më i madh në ekonomi.
Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se sektori i bujqësisë shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta e sektorit që nga viti 1997.
Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes në këtë sektor filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, sektori i bujqësisë është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.
Nga viti 2000 deri në 2010, sektori bujqësor është rritur mesatarisht 3.7% në vit. Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia më e madhe ka ndodhur në sektorin e blegtorisë dhe në mbylljen e fermave të vogla, ngastrave për vetëkonsum.
Pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan.
Prodhuesit dhe blegtorët pohojnë se kostot në zinxhirin e blegtorisë dhe bujqësisë janë të larta, pasi shteti nuk e subvencionon sektorin. Monitor