Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm këtë të mërkurë në inaugurimin e qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes që do të hapë një faqe të re në modernizimin e Ushtrisë Shqiptare.
“Kësaj qendre që do t’i bashkohet edhe agjencisë e re e ekselencës është një bërthamë që premton shumë. Janë vajzat dhe djemtë që sot takuam, është gjenerata e tyre që edhe në Shqipëri ka plot talente të cilave edhe kjo qendër I referohet përtej kufirit të perimetrit të forcave të armatosura. ”– tha Rama.
Mes të tjerash, kryeministri bëri me dije se motivimi financiar për efektivët e Forcave të Armatosura do të vazhdojë pasi do të ketë sërish rritje të pagës së tyre edhe këtë vit.
“Për herë të parë në trendin historik pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit, sikundër e kemi premtuar dhe do të rriten përsëri këtë vit në mënyrë përsëri të ndjeshme, sepse qëllimi ynë nuk është thjeshtë, dhe kjo është një pjesë e tij pa diskutim që ne të kemi një trupë ushtarake të financuar dhe të paguar individualisht për çdo efektiv të saj në mesataren e vendeve NATO-s, gjë që jemi duke e synuar çdo vit dhe praktikisht sot, ndryshe nga jo shumë vite më parë, ne kemi një ushtri që në aspektin e pagave është në nivelin A të rajonit”, u shpreh Rama.