Ekspertët mendojnë se përmirësimi i renditjes së Shqipërisë nga agjencia e renditjes Standard & Poor’s, në datën 22 mars 2024, ka një ndikim të qenësishëm në rënien e normave të interesit, me të cilat tregtohen ndërkombëtarisht obligacionet e qeverisë shqiptare, si pasojë e një rreziku më të ulët që shfaq ekonomia e vendit.
Selami Xhepa, ekonomist dhe President i Universitetit Europian të Tiranës, mendon se faktori kryesor që ka përcaktuar përmirësimin e vlerësimit nga S&P është rënia e borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
“Performanca fiskale pozitive, konsolidimi fiskal, si dhe fuqizimi i monedhës kombëtare, janë faktorët kryesor që kanë çuar në rënien e borxhit publik në terma relativë.
Njëkohësisht, edhe rritja ekonomike pritet të jetë pozitive, kryesisht për shkak të entuziazmit që ka krijuar rritja e të ardhurave nga sektori i turizmit. Pra, dhe në afatin e mesëm, pritshmëritë mbeten pozitive si për performancën fiskale dhe për rritjen ekonomike, gjë që ndikon në rritjen e aftësisë paguese të borxheve publike,” thotë z.Xhepa.
Sipas tij, rritja e vlerësimit do të ketë një ndikim pozitiv në uljen e primit të rrezikut për huamarrjen e re në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që borxhi i huaj të sigurohet me një normë interesi më të ulët.
“Sigurisht që normat e interesit në tregjet e huaja përcaktohen nga faktorë të tjerë që janë ekzogjenë në raport me ekonominë tonë, por ulja e rrezikut në çdo rast do të faktorizohet me një vlerë më të ulët në normën e interesit të tregut.
Impakti mbetet pozitiv mbi financat publike, ndërsa nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun e brendshëm financiar,” shton z.Xhepa (Monitor)