Këshilltari për çështjet ekonomike në partinë dmokratike, Dorian Teliti ka folur për deklaratat e Veliajt në lidhje me arrestimet që kanë ndodhur në Bashkinë e Tiranës.
Teliti u shpreh se Veliaj është qytetari i parë i Tiranës dhe sot u mundua ta kalonte përgjegjësinë sa andej-këndej.
“Erion Veliaj nuk është një banor i thjeshtë i Tiranës, por është qytetari i parë i saj. Ndaj, çdo gjë që ndodh në Tiranë, çdo vendim dhe veprimtari e stafeve dhe ekipit të tij ekzekutiv, nuk mund të jetë pa dijeninë apo përfshirjen e tij.
Prej ditësh shqiptarët e kanë kuptuar qartë se deri ku arrin babëzia e rilindësve për të abuzuar me pronën dhe financat e vendit.
Dëgjuam dje dhe sot Kryebashkiakun Veliaj i cili më në fund foli për atë që po ndodh. Pamë një vartës që lavdëronte shefin e tij dhe godiste bashkëpunëtorët apo ish-bashkëpunëtorët po të shefit të tij.
Dëgjuam se si Kryebashkiaku mundohej të kalonte përgjegjësinë sa andej-këndej.” u shpreh Teliti.
Sipas tij në këtë rast çdo justifikim është i pavend.
“Veliaj u shpreh se një funksionar i lartë nuk mund të ketë dijeni për çdo gjë. Po e vërtetë, nuk mund të ketë. Por kjo nuk vlen për rastin konkret. Qe prej 1 viti, kandidati i opozitës për Tiranën Belind Këlliçi, dorëzoi kallëzimin penal për kompaninë ‘5D’, ndaj çdo justifikim për mosdijeni është tërësisht i pavend. Për me tepër, ka qenë vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili pas denoncimit në organet e prokurorisë, dilte në ekrane dhe kundërshtonte me force akuzën e ngritur, madje kërcënonte edhe për kallëzim për shpifje ndaj Këlliçit.” tha Teliti