Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionitka gati planin që t’i japë kampin e burgut të Spaçit një fondacioni privat. Ky dikaster ka nxjerrë për konsultim publik një draft të Planit të Menaxhimit. Fondacioni do ta administrojë, ruajë, mbrojë pasurinë, rregullojë aksesin dhe shërbimet për publikun dhe promovojë pasuritë kulturore dhe veprimtaritë studimore dhe kërkimore sipas ligjit.
Në draft parashikohet ruajtja e ndërtesave të ish burgut në gjendjen aktuale, duke ndalur përkeqësimin e tyre, por duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa të shihen si metaforë për një distancim nga kujtesa e vendit. Drafti propozon rindërtimin e pjesshëm të disa prej elementeve kyç, rikrijimin e njërës prej qelive, rikuperimin e shtigjeve dhe hyrjeve në tunelin e minierave, krijimi i një sinjalistike, përdorimi i teknologjisë për të shfaqur pjesët e munguara. Fondacioni përgjegjës për menaxhimin indirekt të Spaçit do të ndërmarrë gjithashtu procedurat e nevojshme për ngritjen e Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme.
Sipas draftit, nisur nga planifikimi i biznesit, siti nuk do të jetë fitimprurës financiarisht, ndërsa kosto e projektit i kalon 4,2 milionë euro. Organet drejtuese të Fondacionit do të jenë: bordi i administrimit me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të institucionit themelues të specializuar të trashëgimisë kulturore, të Bashkisë Mirditë dhe nga donatorë ose sponsorë, si edhe bordi i nderit me ish të burgosur politikë dhe bordi Shkencor me përfaqësues nga institucionet dhe organizatat e kujtesës që kanë promovuar aktivitete rreth Spaçit ndër vite. Financimi i Fondacionit do të sigurohet nga mbështetja nga buxheti publik, si dhe nga fonde të tjera kombëtare apo ndërkombëtare, publike apo private.
Kliko KETU për të lexuar draftin e plotë