Një nga dy ish-kancelarët e gjallë gjermanë mbushi 80 vjet më 4 prill 2024. Normalisht do të ishte kjo një mundësi e mirë për të uruar publikisht një person kaq të rëndësishëm, për të nderuar meritat e tij – por fjala është për Gerhard Schröderin e diskutueshëm.
Asnjë ish-kancelar nuk është kritikuar më shumë se ai. Mund të thuash se ai u bë persona non grata. Në festën e ditës së ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor të vitit të kaluar, në mesin e të ftuarve ishte edhe Schröder, por ai ishte vendosur diku prapa, që të mos e kapnin kamerat në transmetimin e drejtpërdrejtë. Ka një diskutim në tabloide – nëse është e nevojshme t’i jepet dora atij.
Socialdemokratët gjermanë, anëtar i së cilës ai është prej 60 vitesh, donin ta përjashtonin nga partia. Përpjekja dështoi, por ai u fshi nga lista e figurave të rëndësishme të SPD-së. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i tij, tha publikisht se nuk do ta uronte për ditëlindjen. Kancelari Olaf Soltz e uroi – por në mënyrë diskrete, me shkrim.
Pse gjithë kjo? Para së gjithash, sepse edhe pas sulmit rus në Ukrainë, Schröder nuk i dha fund miqësisë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, as lidhjet e tij të biznesit me Gazpromin rus. Dhe kështu prish reputacionin e Gjermanisë (lexo KETU shkrimin e plote).