QSUT ka mohuar denoncimin e deputetes së PD-së, Albana Vokshi sot në Komisionin e Shëndetësisë se katër pacientë që ishin në intubim ndërruan jetë pasi u fikën dritat.
“QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:
Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.
QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment” thuhet në reagim.
Denoncimi i fortë/ Vokshi: Skandal! U fikën dritat, vdiqën 4 pacientë në QSUT