Nënkryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, gjatë një deklaratë për mediat ka bërë me dije se Këshilli Bashkiak do të mblidhet nesër më 22 prill për të diskutuar kërkesat e këshilltarëve të opozitës.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 17:00 ku dhe do të kërkohet ngritja e Komisionit të Brendshëm Financiar.
“Më në fund, mazhoranca në Këshillin Bashkiak, ka njoftuar se ditën e hënë në orën 17:00, do të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak për të diskutuar dhe marrë vendim mbi kërkesat e dorëzuara nga këshilltarët e opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme të vetë Këshillit Bashkiak.
Megjithëkëtë, shkelja e hapur e ligjit dhe rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak vijon.
Në nenin 36 Rregullorja detyron Këshillin Bashkiak të ngrejë Komisionin e Brendshëm Financiar, komision i cili funksionon për gjithë periudhën 4-vjeçare, dhe ka në përbërje përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës. Mbi të gjitha ky komision ka për detyrë funksionale kontrollin mbi të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi ekzekutiv, pra nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, në përputhje me buxhetet e miratuara vjetore.” deklaroi Teliti