Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, sekuestroi pasuritë e shtetasit Klodian Ndogaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ky i fundit u dënua me 13 vjet dhe 5 muaj burg.
Është kryer një hetim i thelluar në lidhje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtij personi në Republikën e Shqipërisë, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se blerja e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme të tij apo të familjarëve të tij.
Gjithashtu, ka rezultuar se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë apo vendosur në emër të familjarëve dhe më pas janë shitur te persona të tretë, me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale.
“Gjykata e shkallës së parë në Shkodër me vendimin nr. 279 (1862), datë 16.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme në emër të shtetasit K.N. allias K.J. dhe personave të lidhur me të, konkretisht:
– Pasuria me nr. 272/242 e llojit truall me sipërfaqe 420 m2, nga të cilat 139 m2 ndërtesë; dhe
– Pasuria me nr.18/181, ZK 8597, e llojit njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro.” thuhej në njoftim