I ftuar në studion e ‘5Pyetjet’ nga Ilir Babaramo, analisti Ilir Aliaj foli për përballien e Kosovës me Serbinë në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Ai u shpreh se përveç këtij ballafaqimi, Serbia mori një tjetër humbje ditën e sotme, dhe se tashmë është e detyruar ta njohë Kosovën. Kjo sipas tij bazuar në një kapitull të ri të shtuar nga Komisioni Europian.
“Unë do të shtoja një tjetër humbje të madhe të Serbisë sot në lidhje me Kosovën.
Një muaj e gjysmë më parë Komisioni Europian paraqiti paketën e negocimit mes komisionit me Serbinë dhe sot e ka bërë zyrtare. Ka shtuar pjesën e normalizimit me Kosovën që do të thotë se Serbia do duhet ta njohë Republikën e Kosovës.
Komisioni ka vendosur këtë kapitull të veçantë. Për herë të parë në historinë e intergrimit europian është vendosur një kapitull shtesë.
Jo thjesht një kapitull ku dy vende nuk pengojnë njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për një njohje reciproke. Nëse nuk e njeh Kosovën si do hyjë Serbia në zonën Schengen” u shpreh analisti.