Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që përfundimisht të largohen masat e vendosura ndaj vendit.
Në komunikatën e bërë për media, Qeveria Kurti thotë se Kosova ka përmbushur obligimin duke realizuar votimet në veri, prandaj masat e padrejta duhet larguar.
“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagim.
Tutje, shton se “procesi u përmbyll pa asnjë incident. Për këtë, përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tona të sigurisë”.
“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”, thuhet mes tjerash në reagim.