Deputetja e Partisë Demokratike zyrtare, Eralda Tase ka reaguar së fundmi pasi bashkoi votat me Rithemelimin ditën që u votua në Kuvend për dërgimin në Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Deputetja sqaron se vota e saj kundër Xhaçkës nuk e pozicionon atë në krah të Rithemelimit, pasi siç thotë ajo, i përkas Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha.
“Në asnjë çast vota ime kundër zonjës Xhaçka nuk ka sesi të jetë pozicionim i imi në krahun e rithemelimit. Unë i përkas Partisë Demokratike zyrtare siç e quajnë disa, Partisë Demokratike të udhëhequr nga Lulzim Basha. Këtë zgjedhje e kam bërë që ditën e parë dhe sot jam më e bindur se kurrë për pozitën time.
Jam e detyruar të sqaroj këtë, pasi kam dhënë firmën time kundër Olta Xhaçkës bashkë me deputetët e rithemelimit. Kjo ndodhi sepse në parim unë do të luftoj me çdo mjet një individ si ish ministrja e cila ka mbi supe akuza nga drejtësia, të cilat ja kam përmendur në parlament.
Përballja me të vërtetën e bëri zonjën Xhaçka ta kthente fjalën time në një vendeta personale ku më etiketoi si top lecke, kukull e kurdisur e sinonime të tjera të shemtuara të cilat më kanë shkelur rëndë në parim si njeri, si grua, si nënë dhe si politikane.
Unë jam e qartë në pozicionin tim sepse kam vendosur që në karrierën time politike, sado që ajo të zgjasë, të jem në krah të drejtësisë. Thënë kjo unë qëndroj krah të vetmit grupimi politik i cili ofron figura të papërlyera”thuhet në reagimin e demokrates.