Zëri më produktiv i buxhetit, shpenzimet kapitale këtë vit po tregon dobësi të theksuar teksa disa ente publike që ofrojnë shërbime jetike si spitalet po kalojnë vështirësi.
Në tremujorin e parë të vitit 2023 buxheti i shtetit ka alokuar vetëm 4,8 miliardë lekë investime. Kjo shumë është 71 për qind më e ulët se, plani i tremujorit 2024, ndërsa ishte gjithashtu 61 për qind më e ulët se fakti i vitit të kaluar në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, investimet e tremujorit të parë 2024 ishin më të ulëtat që nga tremujori i parë i vitit 2019, por ndërkohë fondi i investimeve kapitale këtë vit është më i madhi në histori.
Ecuria e deritanishme e fondit të investimeve kapitale sinjalizon për përqendrim të alokimeve në fund të vitit duke hedhur dyshime për eficencën e përdorimit të tyre.
Teksa ka kaluar 1 e katërta e vitit, buxheti ka shpenzuar vetëm 3.6 për qind të programit vjetor të investimeve prej 145 miliardë lekësh.
Historia e përdorimit të fondit të investimeve publike tregon se në tremujorin e parë alokimet kanë vështirësi për shkak të vonesave në prokurime. Por këtë vit ecuria e investimeve ka qenë shumë e dobët se të gjithë tremujorët e parë të 15 viteve të fundit.
Burimet nga entet publike pohojnë se ka hezitim për të firmosur tenderët nga frika e SPAK./ Monitor