Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një tur me diasporën, ku takimi i parë u zhvillua në Lombardi të Italisë. Gjatë këtij takimi me shqiptarët, demokrati e vendosi theksin tek vota e emigrantëve, ku sipas Bashës kasta e vjetër politike po bën një komplot për të mos realizuar votimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Cila është arsyeja miqtë e mi që tre palë zgjedhje parlamentare dhe 3 palë zgjedhje lokale, Rama premtoi votën për shqiptarët jashtë Shqipërisë, vota e diasporës. Edhe sot e kësaj dite mbetet një premtim i parealizuar. Ju jeni shembujt që shqiptarit nuk i mungon asgjë për të arritur standardin europian, do të thotë barazi para ligjit dhe fundi pandëshkueshmërisë.
Nuk mund të tolerojë një shoqëri me dy standarde. Nëse integrimi i Shqipërisë në BE është siç deklarohet qëllimi më i lartë, dorën më së pari do ia shtrijmë shqiptarëve në BE. Nuk ndodh kjo as në qeverisje, as në ekonomi. Mbi 160 mijë sipërmarrës shqiptarë punojnë me kokën lart dhe japin kontribut në ekonominë italiane, por e kanë të vështirë të fusin këmbën në ekonominë e cunguar shqiptare”, tha ai.
Basha u shpreh se nuk është e pamundur realizimi i votës së emigrantëve, por politikanët e vjetës e shohin si një kërcënim esencial.
“Për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç është, madje duke e plakur e duke e pakësuar ditë për ditë, për sa kohë mbahet nën kontrollin e duarve dhe mendjeve të vjetra politike. Kjo është arsyeja pse më pak se një vit para të katërtave palë zgjedhje që kur premtoi votën e emigrantëve nga kjo sallë, ky kryeministër por jo vetëm ai i druhen zërit tuaj, i druhen vendimit tuaj, i druhen gjykimit tuaj, i druhen votës tuaj. Qëllimi është i qartë, t’ju bëjnë të hiqni dorë nga Shqipëria”, tha Basha.