“Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut janë në shënjestër të sulmeve hibride të sofistikuara, me të cilat udhëheqin Rusia, Kina dhe Irani, duke u përpjekur të realizojnë strategji dhe interesa, të cilat shpeshherë janë komplementare dhe të plotësuara mes vete, por me specifika të caktuara”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, së fundi janë regjistruar narrativë propagandistikë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
“Agjencia e Inteligjencës ka vërejtur një strategji hibride dhe përdorim selektiv të narrativëve që ngjallin reagime emocionale, duke përdorur çështje të ndjeshme në rajon dhe që marrin vrull veçanërisht gjatë cikleve zgjedhore”, thotë Musliu në përgjigjet me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Në fokus të propagandës, pengimi i integrimit evropian
Maqedonia e Veriut, sipas tij, është në procesin e integrimit evropian, që është i lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat synohen të pengohen përmes propagandës dhe luftës hibride.
“I gjithë procesi rreth negociatave me Bullgarinë dhe miratimi i kornizës së bisedimeve që përfshin ndryshimet kushtetuese, përcillet me dezinformata me qëllim të manipulimit të opinionit, për të krijuar konfuzion dhe përçarje ndëretnike”, thotë kreu i Agjencisë maqedonase të Inteligjencës.
Sipas Musliut, propaganda e dezinformimit synon rritjen e euro-skepticizmit duke ofruar si alternativë grupin formal tregtar BRICS dhe Bashkimin Euroaziatik, ndërsa zhvillohet kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe platformave YouTube dhe TikTok (Lexo KETU investigimin e plote).