Turqia ka vendosur të mbështesë kandidaturën e kryeministrit holandez Mark Rutte si Sekretar i ardhshëm i Përgjithshëm i NATO-s. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Reuters” e cila citon një zyrtar të lartë turk në kushte anonimiteti.
Vendimi për të mbështetur Rutte vjen tre ditë pasi ky i fundit udhëtoi në Turqi për të kërkuar mbështetje nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan për kandidaturën e tij. Vendet anëtarë të NATO-s, Turqia dhe Hungaria kishin shprehur më herët rezerva për kandidaturën e Rutte.
Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka qenë në krye të aleancës më të madhe ushtarake në botë që nga viti 2014, është afër fundit të mandatit të tij ndërsa gjetja e një pasardhësi është urgjente veçanërisht në një kohë kur sfidat gjeopolitike janë të mëdha.